Vdes në moshën 81-vjeçare Johnny Ventura, këngëtari ikonë domenikan

Këngëtari ikonë domenikan, Johnny Ventura ka vdekur në moshën 81-vjeçare, si pasojë e një sulmi në zemër.

Ventura, karriera e të cilit ka zgjatur për plot gjashtë dekada, kishte arritur famën pasi kishte krijuar një orkestër të salsës, të quajtur “combo show”.

Bendi ishte konsideruar si njëri nga grupet më domethënës në historinë muzikore të popullit në Karaibe.

Presidenti i Republikës Domenikane, Luis Abinader ka shpallur tri ditë zie kombëtare për të nderuar artistin e ndjerë. / KultPlus.com

@GETTY IMAGES

Dua Lipa publikon këngën e re “Demeanor”

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa sapo ka publikuar këngën e saj më të re. Një bashkëpunim me këngëtarin tashmë të ndjerë, Pope Smoke, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Lipa bëri të ditur publikimin e këngës. Ajo në mbishkrim ka falënderuar ekipin, familjen e këngëtarit Smoke për pjeswmarrjen e saj në këtë këngë dhe miqtë e saj që e kanë krijuar videon së bashku me të.

Po ashtu, ajo shpreson se kënga do të pëlqehet, ndërsa ka bërë të ditur se videoja është xhiruar nga Nabildo.

Lipa tashmë veçse është duke e shijuar suksesin e pandalshëm të albumit të saj të fundit ”Future Nostalgia” dhe tani pritet që kënga e titulluar “Demeanor” të shndërrohet në një hit tjetër të këngëtares nga Kosova me famë botërore.

“Demeanor” është një këngë krejtësisht e re, e ndikuar nga disko.

Kujtojmë se Pop Smoke u qëllua për vdekje në Los Angeles në shkurt të vitit 2020. Ai ishte 20 vjeç. / KultPlus.com

Çeku: Ky vit është një prej më të suksesshmëve për filmin e Kosovës

Ministri në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku së fundmi përmes një postimi në rrjetin soical Facebook, ka reaguar për suksesin e filmave kosovarë që tregojnë rrëfime të veçanta, prekin tema sociale, dhe problematika që sipas tij, po zgjojnë interes në gjithë botën, përcjellë KultPlus.

Për këto suksese të filmbërësve, konsiderohet se MKRS-ja po obligohet që ata të jenë përherë pranë tyre dhe të bëjnë më të mirën e tyre për të mbështetur filmin.

“Ky vit është një prej më të suksesshmëve për filmin e Kosovës. Artistët tanë të talentuar po e dëshmojnë veten dhe po e lartësojnë shtetin tonë në ngjarjet më të mëdha të filmit në botë”, ka shkruar Çeku.

KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:

Ky vit është një prej më të suksesshmëve për filmin e Kosovës. Artistët tanë të talentuar po e dëshmojnë veten dhe po e lartësojnë shtetin tonë në ngjarjet më të mëdha të filmit në botë.
Së fundi morëm edhe një lajm që na gëzoi shumë. “Vera Andrron Detin” me skenar nga Doruntina Basha dhe regji të Kaltrina Krasniqit do të ketë premierën në një ndër festivalet më të vjetra dhe më të mira në botë ‘Venice Film Festival’. Një sukses i jashtëzakonshëm, një tjetër moment historik në kinematografinë tonë.
Kosova gjithashtu shkëlqeu në Festivalin e Kanës. Për herë të parë filmi “Pa Vend” nga Saimir Karahoda ishte në kategorinë kryesore të filmave të shkurtë dhe juria ndërkombëtare e Cinéfondation e ka përzgjedhur si kandidat i Festivalit të Kanës për Çmimin e Akademisë Europiane të Filmit. Ndërsa “Luaneshat e kodrës” nga Luana Bajrami ishte pjesë e programit “Director’s Fortnight”.
Filmi “Zgjoi” (Hive) nga regjisorja Blerta Basholli bëri histori në “Sundance Film Festival”, duke u bërë i vetmi, që deri më tani, ka arritur të fitojë tri çmimet kryesore të këtij festivali kaq të rëndësishëm. Ndërsa filmi i Norika Sefës “Në kërkim të Venerës” ishte në Roterdam ku fitoi çmimin special të jurisë.
Poashtu animacioni “Clara me mustaqe” me skenar dhe regji nga Ilir Blakçori dha premierën në festivalin francez “Annecy International Animation Film Festival”, që njihet si njëri prej festivaleve më të mëdha të animacionit në botë. “Clara me mustaqe” fitoi “Çmimin e qytetit Annecy” / “City of Annecy Award”.
Por nuk ndalet këtu puna e mirë që po bëhet në këtë fushë. Së shpejti regjisorët tanë me filmat ‘Në kërkim të Venerës’, ‘Luaneshat e Kodrës’ dhe ‘Pa vend’ do të jenë pjesë e konkurrencës zyrtare të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Sarajevës.
Të gjithë këta filma tregojnë rrëfime të veçanta, prekin tema sociale, dhe problematika që po zgjojnë interes në gjithë botën. Sukseset e filmbërësve na obligojnë që të jemi përherë pranë tyre dhe të bëjmë më të mirën tonë për të mbështetur filmin.
Ne do të angazhohemi dhe do të rrisim përkrahjen në këtë fushë, duke filluar nga rritja e mbështetjes financiare. Do të punojmë që sukseset e tilla të vazhdojnë. I jam mirënjohës gjithë komunitetit kinematografik të Kosovës për punën vetëmohuese dhe suksesin ndërkombëtar. / KultPlus.com

San Marino feston medaljen e parë olimpike me fitoren e Alessandra Perillit

San Marino feston medaljen e parë olimpike me Alessandra Perilli. 33-vjeçarja ia doli të fitonte medaljen e bronztë në disiplinën e qitjes.

Me 34,000 njerëz është vendi me më pak banorë në mesin e të gjithë shteteve të IOC dhe Komitetit Olimpik Kombëtar. Në Lojërat Olimpike Londër 2012, Perilli arriti vendin e katërt, pa mundur të fitojë medalje.

“Më në fund shkoj në podium pas nëntë vitesh sakrificash dhe pas Londrës, ku isha e katërta dhe u ndjeva keq. Nuk e di nëse do të kisha mundur të prisja edhe tre vjet të tjera. Jam shumë e lumtur, por më vjen pak keq sepse kjo finale mund të kishte qenë edhe më e mirë.”

Perilli është nga Rimini dhe ka zgjedhur të përfaqësojë San Marinon për shkak të origjinës së nënës së saj. “Ende nuk e besoj. Shkova për të qëlluar dhe e vetmja gjë që mendova është: Nuk mund të përfundoj përsëri e katërta, nuk e meritoj. Unë me të vërtetë e doja këtë medalje”.

Dhe mesazhi i saj për San Marinon: “Çfarë ndryshon nga sot për sportin në San Marino? Se të rinjtë nuk duhet të heqin dorë, ata duhet ta besojnë atë. Motoja ime është kurrë mos thuaj kurrë.Tani në të ardhmen time është Parisi ”, shtoi sportistja. / KultPlus.com

185 vite nga inaugurimi i monumentit ‘Harku i Triumfit’ në Paris

Harku i Triumfit është një nga monumentet më të njohura në Paris, simbol i nderimit të figurave të Revolucionit Francez, emrat e të cilëve janë të gdhendur, shkruan KultPlus.

Harku ka lartësi prej 50 metrave dhe gjerësi 45m.

Për herë të parë ai është inauguruar më 29 korrik të vitit 1836. / KultPlus.com

Maska e arit që i përket lashtësisë ilire

Ky zbukurim i moçëm gjendet ende te veshjet shqiptare.

Është pohuar nga Montelius, se civilizimi etrusk ishte një vazhdim i atij mikenas, arti i së cilit, ashtu siç e pamë, gëzonte zbukurimin e spirales.

Të tjerë, shohin një mbijetesë të vonë të kulturës mikenase te rajonit ilir, aty ku spiralja mbijetoi, si në Glasinatz. Dhe, sër A. J. Evans, ka theksuar ngjashmëritë e disa prej formave të artit të Hallstatt-it me ato që karakterizojnë thesarin e shquar të arit të gjetur në Eginë, zbukurimet e të cilit tregojnë qartë se është i periudhës së vonë mikenase.

Fotografia: Maske ari ilire, e gjetur në Trebenishtë. Gjendet në Muzeun Kombëtar të Serbisë. Vihet re zbukurimi me spirale. I njëjti zbukurim gjendet edhe në jelekët shqiptarë dhe veshje të tjera popullore.

Titulli: An Introduction to the Study of Prehistoric Art
Autori: Ernest Albert Parkyn
Botues: Longmans, Green and Company, 1915 / KultPlus.com

Osmani, Konjufca dhe Kurti ngushëlluan familjet e atyre që humbën jetën në aksidentin tragjik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, kanë vizituar për ngushëllime familjet e personave që kanë humbur jetën në aksidentin në Slavonski Brod të Kroacisë, përcjellë KultPlus.

Që të tre krerët shtetëror u kanë shprehur ngushëllime familjarëve, duke i siguruar ata se do të kenë mbështetje institucionale. Ata kanë përmendur edhe ndihmën e pakursyeshme të shtetit kroat për t`u dalë në ndihmë të aksidentuarve, duke falënderuar strukturat shtetërore për angazhimin.

Presidentja Osmani ka theksuar se një fatkeqësi si kjo është dhimbje për gjithë qytetarët e Kosovës, ndërkohë që ka uruar shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit.

Kryetari i Kuvendit, Konjufca theksoi se dhimbja për mërgimtarët që humbën jetën është e madhe, ngase erdhën për vizitë në familjet e tyre për ta gjetur gëzimin, por e gjetën vdekjen.

Ndërkaq, kryeministri Kurti tha se kjo tragjedi nuk është vetëm e familjeve, por e të gjithë kombit. Sipas tij, dhimbja duhet të kthehet në forcë për ta përballuar më lehtë këtë humbje të madhe.

Në ditën e parë të vizitave, të tre liderët institucionalë kanë vizituar familjet e Ahmet Hoxhës, Anjeza Bellanicës, Kujtim Kastratit, Leonora Kolemekshajt, Naser Sylemetajt, Erlinda Binakajt, Valentina Zhubi-Binakajt dhe Gjylë Malokut, të cilët nuk i mbijetuan aksidentit të rëndë në Slavonski Brod të Kroacisë.

Vizitat ngushëlluese do të vazhdojnë të premten edhe në familjet e tjera. / KultPlus.com

Fituesja e çmimeve Oscar dhe Emmy, Brooke Keesling mbajti një prezantim sot në kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’

Fituesja e çmimeve Oscar dhe Emmy, Brooke Keesling ka mbajtur një prezantim sot në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në kuadër te Festivalit të Filmit të Animuar Anibar, përcjellë KultPlus.

Brooke Keesling tregoi për përvojën e saj gjatë kohës kur punoi për kompani si ‘Cartoon Network’, ‘Disney dhe Warner Bros’, ku edhe ka qenë e përfshirë në disa filma si: “Inception”, “The Dark Knight” dhe “Pirates of the Caribbean”.

Ajo vazhdoi duke treguar për punën e saj në Bento Box Entertainment, shtëpia e “Bob’s Burgers” dhe “Central Park”.

Pos këtyre, Keesling ndau me publikun fakte interesante rreth filmit të saj të parë të animuar, “Boobie Girl”, i cili ka fituar çmimet Oscar dhe Emmy në vitin 2005.

Ajo ka një përvojë të gjatë pune në nivelet më të larta të industrisë së animacionit dhe në detaje tregoi pikërisht për këtë.

Në fund, ajo pranoi edhe pyetje nga publiku ku tregoi për mundësitë e shumta në industrinë e animacionit, duke ju dhënë këshilla animatorëve të rinj të cilët janë të interesuar të kenë një karrierë në fushën e animacionit. / KultPlus.com

Në Itali gjendet anija e lashtë romake e shekullit II para Lindjes së Krishtit

Një anije e lashtë romake, që besohet se daton nga shekulli II para Lindjes së Krishtit, është zbuluar në ujërat e Detit Mesdhe, afër bregdetit të qytetit jugor italian, Palermo.

Anija është gjendur në 92 metra thellësi, afër Isola delle Femmine. Nga fotografitë e para, të bëra nga një robot nënujor, vërehet se me këtë anije po transportoheshin shishe për verë, shkruan The Guardian.

“Mesdheu vazhdimisht na jep elemente të çmueshme për rindërtimin e historisë sonë të lidhur me tregtinë detare, llojin e barkave, transportin që është kryer”, tha një zyrtare e rajonit të Palermos, Valeria Li Vigni.

Ky zbulim nga autoritetet siciliane u përshkrua si një nga gjetjet më të rëndësishme arkeologjike të vjetëve të fundit.

Pak javë më parë, arkeologët sicilianë zbuluan një objekt tjetër të fundosur – një anije të lashtë romake në rreth 70 metra thellësi afër ishullit Ustica. Në këtë anije kishte shishe me verë të shekullit II para Lindjes së Krishtit.

Çdo vit, qindra shishe të lashta të periudhës romake, të marra ilegalisht, gjenden nga policia italiane në shtëpitë e tregtarëve të artit.

Në qershor, autoritetet italiane gjetën qindra objekte arkeologjike, të grumbulluara ilegalisht nga një koleksionist belg. Objektet datonin që nga shekulli VI para Lindjes së Krishtit dhe kishin vlerën e 11 milionë eurove. / Gazeta Express / KultPlus.com

Nënshkruhet marrëveshja për promovimin e artistëve dhe kulturës shqiptare në botë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti nënshkroi sot, marrëveshje me ministrin e Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko me qëllim promovimin e artistëve dhe kulturës shqiptare në botë.

KultPlus ju sjell njotimin e saj të plotë:

Artistët shqiptarë në diasporë janë ambasadorët tanë më të mirë, ndaj edhe duhet të krijojmë të gjitha hapësirat për promovimin e tyre në vendin amë. Me këtë qëllim, por edhe për të promovuar kulturën shqiptare, përtej kufijve lidhëm sot një marrëveshje me Ministrin e Shtetit për Diasporën, Z. Pandeli Majko.

Përmes kësaj marrëveshjeje synojmë të nxisim dhe zhvillojmë aktivitete të artit dhe kulturës të pjesëtarëve të diasporës, me synim ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit dhe të trashëgimisë kulturore.

Po ashtu angazhohemi në ngritjen e Këshillit Koordinues të Artistëve në Diasporë, anëtarë të të cilit do të jenë artistë me kontribut të çmuar në promovimin dhe zhvillimin e artit shqiptar. / KultPlus.com

Sheshi “Skëndërbej” kthehet në arenën e muzikës shqiptare

Qendra e Tiranës u kthye mbrëmjen e djeshme në një festë të vërtetë të muzikës shqiptare.

Në skenën e ngritur përballë Teatrit të Operas dhe Baletit u organizua një mbrëmje gala me artistët më të rinj të Ansamblit Popullor.

Në programin e këtij koncerti ishin përzgjedhur këngët dhe vallet tradicionale shqiptare më të njohura dhe më të mirat që përmban repertori I folklorit të vendit tonë.

Deputues në këtë skenë ishin 35 te rinj, vokalistë dhe valltarë të cilët u trajnuan intensivisht për tre muaj rresht në “Studio Ansambël.

TKOB gjithashtu me këtë event të organizuar, përmbylli edhe kalendarin artistik Janar – Korrik 2021.

Drejtoresha e TKOB, Zana Çela shprehet: “Me një sensibilitet të veçantë për përkrahjen e të rinjve Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu vlerësimin dhe falenderimin e madh për përkrahjen e artistëve të rinj që prekin skenën e TKOB dhe ato të Tiranës”.

Ajo ka theksuar se artistët deputues në këtë koncert janë “Artistët e së Ardhmes”.

Festa e madhe vijoi me këngët dhe vallet që kanë bërë historinë e muzikës popullore shqiptare, interpretuar nga yjet e rinj të skenës shqiptare. / ATSH / KultPlus.com

@ATSH

Ky është njëri ndër plazhet më të bukura në Evropë

Plazhi Haukland në veri të Norvegjisë është klasifikuar si një nga plazhet më të bukur në Evropë. Pamja që ofron ngjason me peizazhin e një kartoline dhe disa e krahasojnë me Karaibet.

Mirëpo, në krahasim me plazhet e Karaibeve, Haukland është shumë më i ftohtë. Temperatura e ujit nuk është kurrë më shumë se 10 gradë Celsius, pasi është 300 kilometra në veri të Arktikut.

Vizitorët thonë se plazhi është më i këndshëm se shumë prej plazheve në jug të Evropës.

“Plazhi këtu është edhe më i këndshëm se ai që sheh në jug të Evropës, është edhe më i bardhë se sa mund të gjesh diku tjetër”, u shpreh një vizitor.

Plazhi Haukland është i njohur në rrjetet sociale, dhe në guidat e udhëtimit është shënuar si një nga më të bukurit në Evropë.

Në atë vend unik dhe shumë të largët, të njohur vetëm nga vendasit, njerëzit shpesh përdorin mjete lundruese por edhe zhyten në ujërat e ftohta. Vitin e kaluar këtë plazh e vizituan 300,000 turistë, 50 përqind më shumë se në pesë vjet. / KultPlus.com

Corriere: Shqipëria është kthyer në destinacion turistik për italianët

Media italiane “Corriere.it” në rubkrikën dedikuar udhëtimeve i ka kushtuar një artikull plazheve të Shqipërisë.

Nga një vend i panjohur, tashmë në destinacion për pushime. Kush do ta kishte menduar se Shqipëria do të bëhej shpejt një nga destinacionet e reja verore evropiane të preferuara nga italianët (dhe jo vetëm)?

Vitet e fundit, Toka e Shqiponjave është rilindur: e re, dinamike, krijuese – pavarësisht problemeve të secilit vend në zhvillim. Qytetet e gjalla, deti i kristaltë, peizazhet e paprishur dhe disa nga plazhet më të bukur në gadishullin Ballkanik.

Plazhet më të mira janë në jug të vendit, midis qytetit të Vlorës dhe Ksamilit, pikës së fundit të tokës shqiptare para Greqisë. Disa – si Sazan dhe Karaburun – mund të arrihen me varkë, të tjerët si Gjipë mund të arrihen vetëm pasi të keni ndjekur itineraret e shëtitjes.

Duke zbritur takoni Porto Palermon, me kështjellën e Ali Pashës me pamje nga deti, dhe Borshi, të përqafuar nga një hapësirë ​​pemësh ulliri dhe shkurre mesdhetare. Dhe pastaj Himara dhe Saranda deri në Ksamil, i famshëm për perëndimet e diellit dhe ujërat që zbehen nga blu në të kaltër në bruz.

Në veri të Shqipërisë, nga ana tjetër, ka Velipojë dhe Kepi i Rodonit, ku mund të admironi edhe një kështjellë të lashtë nga koha e Skënderbeut, heroit kombëtar shqiptar./ KultPlus.com

Nga 29 korriku në Salento vjen edicioni I i MediFest kushtuar Shqipërisë

Takime, prezantime, koncerte, një “itinerar fotografik” për të rrëfyer Shqipërinë 30 vjet pas zbarkimeve në Brindisi dhe Bari.

Nga e enjtja 29 korrik deri të dielën 1 gusht në fshatrat Castro, Diso, Marittima dhe Acquaviva të Salentos mbërrin “MediFest – Tinguj, bashkëbisedime, kujtime, imazhe të Mesdheut” i promovuar nga Rajoni i Pulias në bashkëpunim me partnerë të shumtë.

Edicioni i parë i Festivalit do t’i kushtohet tërësisht Shqipërisë. Tridhjetë vjet pas zbarkimeve në Brindisi dhe Bari, festivali ofron katër ditë takime, prezantime, koncerte, lexime, shfaqje, një “rrugëtim fotografik” por edhe pjata të kuzhinës shqiptare e arbëreshe për të njohur Shqipërinë, vendin e projektuar drejt Evropës, pa lënë mënjanë historinë e kujtimet që veçanërisht dhjetëvjeçarët e fundit e kanë lidhur në mënyrë të pandashme me Italinë e Rajonin e Puglias në veçanti.

“Shqipëria është e ftuara e këtij edicioni të parë falë afrimitetit të veçante me fqinjët italianë të Puglias – thotë Geri Ballo,  kuratore shkencore e Festivalit, – Para syve të puljezëve ra muri që ndante Shqipërinë nga pjesa tjetër e botës para 30 vjetësh. Ishin ata të parët që përjetuan bashkë me ne shqiptarët eksperiencën e fortë emocionale të emigracionit. Tani që komuniteti italo-shqiptar është ndër më të rrënjosurit mes italianëve të rinj në Puglia, ato copëza historie kthehen në pikënisje reflektimi për MediFest, gjatë të cilit do të ndalohet në mënyrë të veçantë mbi çka bashkon popullin shqiptar me atë puljez, duke filluar nga civilizimi antik mesapian dhe trashëgimia e rëndësishme e përbashkët e përfaqësuar nga arbëreshët për të vijuar me shumë elementë të tjerë artistikë dhe letrarë që do të jenë subjekt i aktiviteteve të propozuara për publikun në katër mbrëmjet e festivalit”.

Mbrëmja e parë, e enjte 29 korrik, do t’i ofrojë publikut të Kastros dy takime në “Messapi: Populli i dy deteve” me arkeologët Francesco D’Andria dhe Katia Mannino dhe “Të rinjtë dhe Mesdheu” me nënkryetaren e bashkisë së Tiranës Anuela Ristani dhe Aldo Patruno, drejtor i përgjithshëm i Departamentit të Turizmit e Kulturës së Rajonit të Puglias dhe shfaqjen “Nina kërcen” të Claudio Prima & Seme.

Gjatë mbrëmjeve në vijim do të flitet për ndikimin kulturor të komuniteteve arbëreshe, për “Fenë, ateizmin dhe shqiptarinë” me, ndër të tjerë, Imzot Gjergj Metën dhe me Imamin e Tiranës Ylli Gurra; do të kujtohet i ndjeri Alessandro Leogrande dhe këndvështrimi i tij mbi Shqipërinë dhe Mesdheun me Christian Raimo dhe Stela Xhunga. Botuesi Besa Muci do të kurojë një fokus mbi letërsinë shqipe që do të ofrojë një ballafaqim mes shkrimtarëve Tom Kuka dhe Anilda Ibrahimi dhe një lexim me zërin e Angela De Gaetano. “Tingujt” do t’u besohen fizarmonikës Admir Shkurtaj i cili do të sjellë në skenë projektin Harè me Lindita Hoxhën (violinë) dhe Pino Basile (kupafon) dhe një përqafimi midis muzikës popullore arbëreshe dhe asaj të Salentos të realizuar nga bashkëpunimi i “Ansamblit arbëresh të Puglias” me tre grupe tradicionale të Disos.

Agimi i të dielës 1 Gusht do të pritet në gjirin Acquaviva nën tingujt e koncertit për piano të Robert Bishës. Nuk do të mungojë seksioni “Imazhe” që do të sjellë për publikun “itinerarin fotografik” të Elton Gllavës dhe Fate Velajt dhe shfaqjen e filmit të shkurtër “Omonimia” të Mentor Selmanit. Çdo mbrëmje në orën 21.30 pjata tipike arbëreshe dhe shqiptare të përgatitura nën kujdesin e Institutit të hotelerisë IPSEO “Aldo Moro” në Santa Cesarea Terme në bashkëpunim me Puglia në Rosè.

Për informacion më të detajuar për çdo veprimtari të këtyre 4 ditëve të MediFest, shkoni në faqen e facebook MediFest Puglia/diaspora shqiptare. / KultPlus.com

Ishte me ngjyrë dhe nuk e lejuan të ulej me studentët e bardhë, McLaurin ulej në një kënd të caktuar të klasës

George McLaurin, njeriu i parë me ngjyrë i pranuar në Universitetin e Oklahomas në 1948, u detyrua të ulej në një qoshe larg nga shokët e tij të bardhë të klasës.

Emri i tij ka mbetur në listën e nderit, si një nga tre studentët më të mirë të Universitetit.

Për diskriminimin që i ishte bërë, ai ka treguar edhe nëpër medie.

“Disa kolegë më shikonin sikur të isha një kafshë, askush nuk më linte radhën për të folur, mësuesit dukeshin sikur nuk ishin aty për mua, dhe kurrë nuk i merrnin pyetjet e mia në konsideratë. Por, unë u përkushtova aq shumë, sa që më pas, ata filluan të kërkojnë nga unë për t’u dhënë shpjegime dhe për të qartësuar pyetjet e tyre “, ka thënë mes tjerash ai.

Ai për tu pranuar për të studiuar kishte luftuar me gjykata, për t’iu bërë e mundur studimi.

Përpos që kishte ulësen e veçantë, ai ishte detyruar të ushqehej poashtu në një tavolinë të veçantë, dhe tabela e ushtrimeve ishte jo ajo që përdorej nga të bardhët.

Krejt këtë përvojë e kishte përjetuar në palcë gjatë kohës sa po doktoronte, dhe për shkak të peripetive, ai ishte i madh në moshë. Me 61 vjet kishte doktoruar në këtë Universitet./ KultPlus.com

Novobërda, ose Artana e praruar e turizmit të pashfrytëzuar të Kosovës

Një nga problemet kryesore më të cilët përballet turizmi aktualisht qoftë në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, është pa dyshim “turizmi rastësor” që akoma gëlon rëndom në një mori qendrash të rëndësishme arkeologjike, duke përbërë ende mënyrën e vetme të vizitueshmërisë së këtyre simboleve të trashëgimisë tonë shekullore kulturore kombëtare.

E tillë pikërisht ishte edhe njohja ime personale me Novobërdën, kështjellën madhështore dhe gjithashtu historinë e saj të mrekullueshme, që do të ngjallte zilinë e çdo historiani, arkeologu dhe shtetari të mençur në çdo vend tjetër të botës, nëse do të kishin fatin të gëzonin në territorin e tyre një zonë kaq magjepsëse arkeologjike siç është Novobërda.

Në mënyrë rastësore e pata njohur këtë kështjellë të vendosur në një pozicion dominues mbi malet, grykat dhe luginat përreth, që ngrihet porsi një pikë vrojtimi e fortifikuar hijerëndë mbi një kodër malore, në lartësi mbidetare rreth 1200 metra, duke spikatur në distancë edhe nga shumë kilometra tutje, nga të gjitha anët dhe tërë drejtimet në horizont.

Kështjella e Novobërdës është një fortesë mesjetare që i fal Kosovës një pjesë thelbësore të trashëgimisë së saj historike, duke ofruar një mozaik të vyer kulturor, kombëtar, fetar e arkeologjik që rrallëherë mund të haset tjetërkund në rajon e më gjerë.

Kjo kështjellë me formë kaq unike gjashtëkëndore, me tetë kulla të vjetra, një pamje përrallore, që më tepër ngjan me një kështjellë të Europës Veriore, sesa me një fortesa të gjendur në zemër të Ballkanit mesjetar, sot vijon t’u bëjë ballë kryelartë kohës së pashpirt, kushteve atmosferike dhe lënies së pakuptueshme jashtë itinerarëve kryesorë turistikë.

Disa javë më parë, në një ditë të vapët gjetiu në trevat e ulëta fushore, por fort të freskët dhe me një erë që frynte tërbueshëm sa më shumë i afroheshe Novobërdës, i qemë afruar kësaj kështjelle duke përshkuar një rrugë të ngushtë gjarpëruese që kalonte mes kodrash e malesh të mbushura me gjelbërim, pemësh të harlisura me çdo frut malor të përfytyrueshëm (që të grishnin ta ndaloje makinën në çdo pak kilometra për t’i shijuar këto fryte bujare të natyrës), liqenit të këndshëm të Badovcit që t’i freskon edhe sytë me ujërat e tij, dhe një mori minierash që dergjen në braktisje.

Është e pamundur që mos të shtangesh nga mahnitja kur kështjella e Novobërdës lartësohet mes maleve, thuajse duke prekur qiellin, duke ruajtur akoma në ditët e sotme tisin e saj të pamposhtur, muret e paarritshme, pamjen luftarake dhe trashëgiminë fisnike që i japin asaj tiparet e saj që nuk mund t’i hasim asgjëkundi përveçse në këtë fortesë mbi kreshtat e larta të përqafuara pareshtur nga rrezet diellore.

Përkundër erës së çmendur, temperaturave më tepër se 10 gradë më të ulëta se në Prishtinë, truallit të thepisur dhe të tatëpjetë, nuk patëm ngurruar që të ngjiteshim gjer në muret e moçme gjysmë të rrënuara të kështjellës, duke përpirë me të gjitha shqisat tona këtë monument drithërues të mesjetës arbërore dhe të Kosovës, teksa përfytyronim jetën që dikur kish gjallëruar me ritëm të vrullshëm në këtë qytet të banuar nga arbërorët, tregtarët raguzanë nga Dubrovniku i sotëm, minatorët dhe mjeshtrat saksonë gjermanë, të sjellë pikërisht për këtë qëllim në këto vise të largëta nga sundimtarët e kohës, dhe ndoshta ndonjë përfaqësues të despotëve serbë të periudhës në fjalë.

Të përhumbur në këto vegime mesjetare, në një realitet të drobitur bashkëkohor që përplaset papërputhshëm me të shkuarën e ndritur të këtij vendbanimi të shquar të shekujve të kaluar, u futëm në bujtinën e parë që na hasën sytë rrëzë shtegut të vetëm të shtruar tek-tuk me gurë që të shpie lart në kështjellë, dhe zonja e sjellshme e shtëpisë na ofroi një fli që akoma piqej në saç dhe prush.

Megjithëse ende nuk më kishin kaluar dridhmat e të ftohtit të asaj dite, vendosa të kthehesha sërish në këtë vend të mbetur jashtë kohës, akoma pezull mes të shkuarës së lavdishme mesjetare, dhe harresës e mënjanimit aktual nga hartat e rëndësishme turistike, kredhur në një melankoli tipike të ngulimeve që kanë njohur madhështinë dhe qytetërimin e epërm, për t’u dergjur pastaj në sfondin e vakët të ditëve të sotme të pangjyra.

E kur u ktheva, përsëri për t’i shpëtuar vapës zhuritëse të kësaj vere të nxehtë, nuk u zhgënjeva aspak, përkundrazi…

E them këtë jo vetëm si shkrimtar dhe përkthyes letrar, që në një vend të tillë gjen parajsën për të shkruar qetësisht.

Novobërda, si kështjellë, si qytet dhe rrënoja arkeologjike mesjetare, por edhe si vendbanim i vogël bashkëkohor, është një gur i çmuar në gjirin e trashëgimisë historike të Kosovës së sotme, një vlerë e shtuar për turizmin kosovar, një destinacion i pashmangshëm për çdo turist të etur për gjurmë të pashlyeshme qytetërimi, historie dhe kulture të mirëfilltë, por edhe një vend plot kulturë, arsimim dhe mikpritje burimore shqiptare, duke ofruar një dëshmi të çmuar për doket dhe traditat shqiptare.

Ndër të veçantat më të spikatura të Novobërdës, mjafton të theksohet se në hapësirën e një rrugice të gjatë jo më shumë 70 metra, në radhë gjejmë Shtëpinë Muze të Bejta Novobërdalisë, gazetar, shkrimtar e politikan me origjinë nga ky vendbanim, pastaj Tyrben e Mehmedit të Vjetër, ku mund të shihet edhe një varr i moçëm me shkrime në osmanisht (shekulli XVIII), kurse pak hapa më tutje Xhaminë e Osman Efendisë gjithashtu të shekullit XVIII, me një arkitekturë të rrallë tipikisht osmane të vjetër, me ngjyrë të hirtë dhe minaren e veçuar nga godina qendrore.

Përkundrall tyrbes së vjetër, sakaq gjenden rrënojat mahnitëse të Katedrales së Novobërdës, që dallohet edhe nga largësia, e ngritur në një kodrinë të ulët, pikërisht përballë kështjellës disa qindra metra matanë.

Një sërë kolonash të larta të Katedrales janë ngritur sërish në këmbë, dhe gjithaq muret dhe gurët e saj janë meremetuar dhe sistemuar mjaftueshëm sa për t’i rikthyer këtij objekti të vyer kulti pakëz nga shkëlqimi i tij i dikurshëm, kur pamja e saj veç mund të orvatemi ta përfytyrojmë çfarë mrekullie arkitektonike duhet t’u ketë ofruar besimtarëve novobërdas dhe vizitorëve e tregtarëve të shumtë që kishin marrëdhënie me këtë qytet.

Vendasit, mikpritës dhe të gjithë skajshmërisht krenarë me të kaluarën e vendlindjes së tyre, të tregojnë me ëndje se rreth e rrotull Novobërdës së sotme, gjenden rrënojat e të paktën 12 kishave të moçme, dhe janë njëherësh të gatshëm të të shoqërojnë miqësisht për t’i soditur secilën syresh, me një bujari dhe gatishmëri që ta heq menjëherë nevojën për udhërrëfyes të rregullt turistikë.

Burimet historike ndërkaq tregojnë se Novobërda mesjetare, në banorët e saj, përveç arbërorëve (me gjasë jo vetëm katolikë, por edhe ortodoksë, gjë që dëshmohet nga disa kishat ortodokse, në një vendbanim kryesisht katolik), raguzanëve, saksonëve, mund të numëroheshin sakaq edhe tregtarët venedikas, duke e bërë këtë qytet një vendbanim shumëkombësh me tipare të qarta tregtare, qendër të nxjerrjes së mineraleve të çmuara, por edhe shteg kalimi për karvanet e shumta që arrinin deri në brigjet e detit Adriatik.

Ky qytet kaq i pashoq, ku ishte harlisur qytetërimi, bashkëjetesa midis lindjes dhe perëndimit, në radhët e banorëve, feve dhe kulturave të tij, që ndërkaq zotëronte dhe minierat më të pasura të gjithë siujdhesës Ballkanike, do të rrethohej disa herë pamëshirshëm nga osmanët, gjersa në vitin 1455 do të mposhtej përfundimisht, dhe turqit do t’u prisnin kokat gjithë mbrojtësve meshkuj të qytetit (qindra syresh), duke çuar përdhunshëm të miturit si jeniçerë, ndërsa gratë e femrat do të përfundonin në harem.

Një fakt interesant është se një vit përpara rënies së qytetit në sundimin osman, Vojvodë i Novobërdës ishte Aleks Spani, kurse përpara tij këtë post të rëndësishëm udhëheqës, e kish mbajtur babai i tij, Pjetër Spani, të dy pinjollë të familjes së madhe fisnike arbërore të Spanëvë nga Drishti pranë Shkodrës.

Gjithashtu një arbëror i shquar me origjinë nga Novobërda, është Gjergj Pelini, klerik katolik dhe diplomat i Gjergj Kastriotit.

Më tutje nga Novobërda në Gjilanin e sotëm do të shpërngulej edhe familja e madhe e Gjinollëve në shekullin XIX, duke themeluar këtë qytet të rëndësishëm të Kosovës, të cilit i dhanë edhe emrin e tyre.

Novobërda vijon të shuhet dhe të shpopullohet gjatë shekujve të sundimit osman, derisa vendbanimi i vogël i sotëm, në shekullin XX thuajse zbrazet tërësisht, dhe ringjallja e tij kryesisht, përveç përpjekjeve të autoriteteve kosovare përgjegjëse për trashëgiminë arkeologjike dhe kulturore, i detyrohet kryesisht banorëve vendas të familjes Novobërdaliu, të cilët ende nuk pranojnë stoikisht të shkëputen nga trojet e tyre atërore, duke e ripërtërirë pak nga pak jetën në këtë qytet dikur të fisëm mesjetar.

Gjithë shtëpitë e mbetura në këtë vendbanim, u përkasin trashëgimtarëve të kësaj familje, dhe të tillë janë edhe Xhema dhe Feimja, një burrë me shpirt bujar që pati lënë karrierën akademike dhe filozofinë, për t’u kthyer në kohë të vështira në vendlindje, rrëzë kështjellës madhështore, dhe gruaja e tij e palodhur, që mes një flije dhe tjetrës, të pjekura domosdo në saç, mirëpresin me buzë në gaz këdo, në Shtëpinë e tyre Akomoduese në sheshin e vetëm të vendbanimit, poshtë mureve të kështjellës.

Anëtarët e kësaj familje, përbëjnë edhe një tjetër veçori krejt të rrallë të këtij vendbanimi, ngaqë të gjithë pa përjashtim, duke nisur nga brezat më të moshuar, gjer te brezat e rinj, janë të shkolluar në nivel universitar, duke jetuar e punuar me sukses bijtë e nipat e tyre nga Prishtina, deri në vendet e Europës Perëndimore e Veriore.

Sot Novobërda vuan nga infrastruktura turistike, ndërsa kështjella mesjetare nuk është rikonstruktuar dhe meremetuar akoma plotësisht, teksa shtigjet që të shpien deri lart poshtë mureve të saj, nuk janë shtruar akoma, të paktën me plloça guri, dhe kur ende mungon ndriçimi i duhur për kështjellën dhe zonën përreth saj, por gjithashtu askund nuk të has syri ndonjë tabelë ku të tregohet përmbledhtas historia mahnitëse e këtij qyteti dhe bëmat e qytetarëve të tij.

Megjithatë Novobërda ndodhet vetëm 40 minuta larg Prishtinës, rreth dy orë larg Shkupit, në distancë të pranueshme nga Tirana dhe gjithë qytetet e rëndësishme të Kosovës.

Ky vend klimaterik ku mushkritë të mbushen me ajër të pastër, ku gjelbërimi gjendet në çdo skaj, ku bimësia lulëzon, ku ushqimi Bio ta mbroth shëndetin, ku njeriu ecën me rrënoja arkeologjike në çdo hap që hedh përtokë, dhe ku veçanërisht mikpritja vendase mund të cilësohet thjesht si e përkryer, nevojitet patjetër të shndërrohet në një “must go place” për çdo turist që vjen në Kosovë, sepse vizita do t’ia vlejë qartësisht mundimin.

Nga Elvi Sidheri (Shkrimtar dhe përkthyes letrar shumëgjuhësh) / KultPlus.com

Tenori Lahaj: “Ramë Lahaj International Opera Festival”, urëlidhës mes skenës kosovare dhe asaj ndërkombëtare

Tenori i njohur kosovar, Ramë Lahaj po e bën ëndrrën realitet duke organizuar në Kosovë festivalin “Rame Lahaj International Opera Festival.

Ky festival shënon sivjet edicionin e parë dhe ka për qëllim promovimin e Kosovës dhe artistët e saj në arenën ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Lahaj përmes një postimi në Facebook jep detaje për këtë festival duke thënë se lindi si nevojë për të krijuar një urë lidhëse në mes të skenës kosovare dhe asaj ndërkombëtare.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Festivali Ndërkombëtar “Rame Lahaj International Opera Festival “, lindi si nevojë për të krijuar një urë lidhëse mes skenës Kosovare dhe asaj ndërkombëtare.

Duke patur parasysh që Kosova dhe rajoni ka talentë të mrekullueshëm, ishte e domozdoshmeri një iniciativë e tillë e cila vjen si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Komunes së Prishtinë, Ministrisë së Kultures dhe Filharmonise së Kosoves. Në 2019, të gjithë të përmendurit themeluan koncertin “Rame Lahaj & Friends “ me idenë per tu zhvilluar me tutje në një Festival dhe Fondacion në fokus të artistëve të rinj, të artit dhe të kulturës në përgjithësi por mbi të gjitha për të promovuar Kosovën dhe artistët e saj në arenën ndërkombëtare .

Rrugetimi i Z.Lahaj eshte krejt i pazakontë. Pas studimeve, ai nis krejt rastesisht eksperimentimin mbi muzikën në moshën 21 vjecare, për tu bërë më pas një nga tenorët më të spikatur për timbrikën e tij vokale dhe një nga këngëtarët më prominent në gjeneratën e tij.

Rame Lahaj është artisti i parë në Kosovën e para dhe të pas luftës, i cili ka performuar në skenat më të rëndësishme të arenës ndërkomëtare në botën e Operës, përkrah emrave të mëdhenj si legjendari i Operes Placido Domingo, i cili e ka vlerësuar me Cmimin e Festivalit më prestigjoz e më të rëndsishemë operistik “Operalia “ në 2016.

Në dekadën e parë të karrierës së tij ndërkombëtare, Z. Lahaj ka interpretuar në teatrot më prestigjioze si: Royal Opera House Covent Garden, Semperoper Dresden, Paris National Opera, Gran Teatre del Liceu, Los Angeles Opera, Teatro Real-Madrid, Deutsche Oper Berlin, Balshoi Theater Moscoë, Opera Australia, Royal Albert Hall, Opera Tel Aviv, Haus Fur Mozart – Salzburg, Arena di Verona, La Monnaie de Munt, Staatsoper Berlin, Staatsoper Hamburg, Polish National Opera, Hungarian State Opera, Oslo Opera House, Finnish National Opera, Teatro Massimo di Palermo, e të tjera.

Z. Lahaj është dekoruar me Medaljen e Presidentit të Republikës së Kosovës me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë, me motivin “Afrimi i Kosovës në Arenën Ndërkombëtare përmes Artit Operistik“. Ai është dekoruar edhe nga Kryeministri i Kosovës, me titullin “Gjergj Kastrioti Skenderbeu“ dhe njëherit ështe shpallur “Ambasador Global i Kulturës së Kosovës në Botë“. / KultPlus.com

Një pjesë e tortës së dasmës së Princit Charles dhe Princeshës Diana po shitet në ankand

Një pjesë e tortës së dasmës së Princit Charles dhe Princeshës Diana po shitet në ankand.

Çifti mbretëror u martua 40 vjet më parë dhe një pjesë e tortës së tyre me pesë nivele pritet të shitet për 500 paund kur një koleksionist do ta hedhë në ankand muajin tjetër në Dominic Winter, transmeton KultPlus.

Chris Albury, eksperti i kujtimeve mbretërore të ankandit, tha: “Është një kujtim kurioz dhe unik”.

“Unë nuk do t’ia rekomandoja dikujt ta hajë, por pas 40 vjetësh është qartë se ajo është e destinuar të zgjasë.”

Kjo pjesë është zbukuruar me një stemë mbretërore të kuqe, blu dhe ari.

Ajo iu dha Moyra Smith, një prej stafit të nënës së mbretëreshës në Clarence House, pas ceremonisë në vitin 1981, dhe është ruajtur në film ngjitës brenda një kuti torte.

Torta qëndroi në familjen e Moyra deri në vitin 2008 para se të merrej nga koleksionisti i cili tani po e nxjerr në shitje./ KultPlus.com

@Shutterstock

Dëmtohet murali ku nderohet George Floyd

Një mural që nderon George Floyd, Breonna Taylor dhe Ahmaud Arbery në Portland u vandalizua nga mbështetësit e një grupi urrejtës nacionalist të bardhë, tregojnë fotot.

Artisti që krijoi muralin “We Stand With You” të Floyd, Taylor dhe Arbery vitin e kaluar zbuloi dëmin e lënë pas nga mbështetësit e Frontit Patriot me bazë në Teksas., duke treguar tre fytyrat e tyre të mbuluara me bojë të bardhë dhe të zëvendësuara nga adresa e faqes së internetit të grupit të urrejtjes, transmeton KultPlus.

“Unë jam i trishtuar, i hutuar dhe i humbur për fjalët se sa urrejtje dhe injorancë është në komunitetin tonë,” shkroi Christian Grijalva.

“Që urrejtësit supremacistë të bardhë të vijnë të vandalizojnë dhe prishin pikturën time murale dhe muralin e komunitetit thjesht më trondit mendjen.”/ KultPlus.com

Marrëveshje për rifunksionalizimin e Sahat Kullës

Sot u nënshkrua marrëveshja për bashkëfinancimin e restaurimit të Sahat Kullës, me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim – UNDP, përcjellë KultPlus.

Sahat Kullla, si një prej monumenteve me të shquara të trashëgimisë kulturore në Prishtinës, shumë shpejt pritet të rifunksionalizohet duke rikthyer kujtimet e së kaluarës sonë të përbashkët.

Projekti po realizohet me propozimin e studentëve të Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin “Hasan Prishtina”, nën mentorimin e profesoreshës Florina Jërliu dhe asistentit të saj Rron Beqiri dhe do të implementohet bashkë me organizatën CHWB./ KultPlus.com

“7 Ninulla, 7 Ditë të javës” nga Besa Berberi, promovohet nesër në Prishtinë

Për të gjitha nënat dhe dashamirësit e ninullave, Besa Berberi sjell librin “7 Ninulla, 7 Ditë të Javës”.

Libri do të promovohet më 30.7.2021 prej orës 17:00  në “Paper Gallery” në Prishtinë dhe do të jetë i hapur për publikun dashamirës të butësisë së ninullës dhe fuqisë së mesazhit që ajo përçon, shkruan KultPlus.

“Nani nani, o nani kush të tund

Bukuroshe e nanës, nanës në katund

Nani nani, o çupë e nënës o

Të më rritesh si dritë e hënës o

Punëtore por si bleta

Gojë ëmbël o

Krah lehta

Nani nani o, nani shpirto fli

Të më rritesh ti zemër për malësi” – shkëputur nga libri “7 Ninulla, 7 Ditë të Javës”./ KultPlus.com

Artisti i pastrehë që u shndërrua në senzacion

Më 4 Prill 2021, Richard Hutchins, 62 vjeç, shikoi teksa një kamion blu hyri në parkingun e supermarketeve të Ralph në Los Angeles. Richard kishte qenë i pastrehë për gjashtë vjet. Ai nuk e dinte atëherë, por ai kamion blu do ta ndryshonte jetën e tij.

Në moshën gjashtë vjeç, ai punoi në fushat pas shkollës në Georgia. Hutchins përdori çantat ngjyrë kafe të ofruara, së bashku me degëzat nga zjarri për të krijuar qymyr druri. Pasioni i tij për artin u rrit nga atje dhe ai bëri shitjen e tij të parë të madhe prej 1.500 dollarë në moshën vetëm 15 vjeç, transmeton KultPlus.

Për Richard, arti është pjesë e asaj çka ai përfaqëson “Kur pikturoj e vendos jetën time,” tha ai për Guardian.

Sidoqoftë, karriera e tij u ndërpre kur Richard u dërgua në burgun e qarkut në Los Angeles. Ai më vonë u shpall i pafajshëm për krimin për të cilin ishte akuzuar dhe u lirua. Të qenit në një qeli për 22 orë në ditë nuk e ndaloi atë të krijonte punën e tij. Richard u shkruante letra miqve të tij dhe vizatonte në pjesën e jashtme të zarfeve me laps.

I ulur në krevatin e sipërm të marinarit të cilin e përdorte si tryezë në qelinë e tij, Richard zbuloi ngjyrën në disa Skittles dhe M&M që kishte ikur për shkak të ujit të harxhuar. Ai mori flokët nga mjekra dhe bëri një furçë boje për t’u zhytur në ngjyrat e ëa rishtas. Pas kësaj, Richard përdori gjithçka që mund të merrte në dorë për të pikturuar, përfshirë kafen, pastën e dhëmbëve dhe letrën e tualetit.

Në fillim ishte provë dhe gabim. Ai dërgoi rreth 15-20 zarfe kudo çdo javë, miqve ose çdo adrese që mund të vinte në dorë. Në fund të secilit zarf, ai shënoi ditët e kohës së burgut. Ai madje u bë një artist i paraqitur në një galeri në Pasadena, California, pasi dërgoi disa prej zarfeve atje.

Pas ekspozitës ai ia dhuroi zarfet bibliotekës UC Santa Barbara, ku edhe sot ato mund të shihen të varura në mure. Në total, Richard pikturoi rreth 200 zarfa ndërsa ishte në burg. Tani, printimet e këtyre pikturave në zarf janë shitur në faqen e tij të internetit për rreth 700 dollarë, me origjinalet për rreth 2,500 dollarë secila. Richard thotë se një mik i tij po i bën edhe libër atyre.

Pasi Richard u largua nga burgu, ai punoi për një kohë në një studio në Kaliforni. Por, kur një zjarr shkatërroi ndërtesën, Richard humbi rreth 800 pjesë të punës së tij. Menjëherë pas kësaj, Richard mbeti i pastrehë. Deri në vitin 2021, Richard po jetonte në një strehë si pjesë e një skeme në LA që strehonte të pastrehët gjatë pandemisë. Ai kishte qenë i pastrehë për gjashtë vjet.

Në atë furgon blu në prill ishte Charlie “Rocket” Jabaley, menaxheri i mëparshëm i 2Chainz.Pas bisedës, Charlie i dha Richard numrin e tij dhe tha që të telefononte të nesërmen. Richard shtoi: “Ju dëgjoni kaq shumë dhe asgjë nuk ndodh.”

Charlie iu përgjigj thirrjes së tij dhe të nesërmen ai mori Richard për t’i blerë pajisje arti, kanavacë, ngjyra dhe furça me vlerë 2,000 dollarë. Gjithçka që i duhej Richardit ishte t’i futet punës.

Ky takim i rastësishëm në Ralph më vonë çoi në shfaqjen e veprës së Richard në muret e galerisë Sofitel në Beverley Hills. Atë natë, ishin 500 njerëz që e fotografonin dhe bërtisnin emrin e Richard./ KultPlus.com

Akreditohen 13 programe të studimit të Kolegjit Universum

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) pas takimit të mbajtur me 27 Korrik gjatë së cilit u shqyrtuan raportet finale për vlerësimin institucional dhe atë të programeve të studimit, të hartuara nga panelet e ekspertëve ndërkombëtar. Përveq programeve egzistuese Këshilli shtetëror i cilësisë i Agjencionit të Akreditimit të Kosovës ka akredituar edhe 13 programe të studimit të Kolegjit Universum.

Programet në të cilat Kolegji Universum me sukses është akredituar dhe riakredituar (në programet egzistuese) janë:

  1. Infermieri
  2. Fizioterapi
  3. Siguri Kibernetike
  4. Juridik
  5. Gjuhë Gjermane
  6. Estetike dhe Higjene Dentare
  7. Biznes Menaxhment
  8. Gjuhë Angleze
  9. Shkenca Kompjuterike
  10. Shkenca Politike
  11. Gazetari Digjitale
  12. Dizajn Mode
  13. Dizajn Grafik
  14. Dizajn Interieri

Dhe programet Master të akredituara janë:

  1. Data Science & Analytics
  2. Menaxhment
  3. Diplomaci
  4. Menaxhim i Turizmit
  5. Menaxhim Nderkombetar i Biznesit
  6. Zhvillimi i qëndrueshëm i sistemit të prodhimit të ushqimit 
  7. Menaxhim i sektorit publik
  8. Financa

Shikoni listen e plote te programeve BACHELOR https://www.universum-ks.org/sq/programet-e-studimit/ dhe MASTER https://www.universum-ks.org/sq/studime-master/

Kolegji Universum është kolegji më inovativ në Kosovë, i renditur në Top 1000 shkollat më të mira të biznesit në botë nga Agjencia Eduniversal. Institucion lider i ndërkombëtarizimit, i vetmi institucion nga Kosova që ka arritur numrin më të madhë të marrëveshjeve të financuara nga Komisioni Evropian. Apliko këtu https://bit.ly/2HuMame 

Këtë vit Kolegji Universum ka shtuar dhe numrin e bashkëpunimeve me Universitetet Evropiane duke e ngritur në 395 numrin e BURSAVE Ndërkombëtare që do të ofrohen për këtë vit për studentë për shkëmbim në 26 shtete të BE-së.
Regjistrimet po vazhdojnë, Eksploro Evropën gjatë studime, studio një semester në Evropë me të gjitha shpenzimet e mbuluara. Apliko këtu https://www.universum-ks.org/sq/apliko/

462 studentë të Kolegjit Universum deri tani kanë përfituar shkëmbim semestral në 26 shtete të BE-së. Kliko këtu, shiko fotot e studentëve përfitues të bursave.

Për më shumë informata kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni Kolegjin Universum në facebook & instagram./ KultPlus.com

Dita ndërkombëtare e buzëkuqit, EBC Cosmetics me zbritjen “Lips Week”

Buzëkuqi është pjesë e pandashme e vajzave dhe grave, dhe secila prej tyre tashmë ka krijuar lidhjen me buzëkuqin e preferuar, ngjyrën, aromën dhe dizajnin e tyre.

Sot është dita ndërkombëtare e buzëkuqit, dhe EBC këtë ditë të shënuar për vajzat dhe gratë, ofron një mundësi që buzëkuqët e preferuar ti marrin me një zbritje.

EBC njofton se Lips Week ofron një zbritje prej 30%, për buzëkuqët, e që një ofertë të tillë e kanë prej 26 deri më 31 korrik.

Dhe për të shijuar këtë festë ndërkombëtare, ju keni rastin që në çantën tuaj të keni buzëkuqë të brendeve më të njohura: Dior, Lancome, Estee Lauder, Shiseido, Clarins, Clinique.

EBC Cosmetics operon në tregun tonë që nga viti 1993 si e vetmja kompani në Kosovë e autorizuar për shitjen në 8 pika:

1.      Bregu i Diellit , Rr. Eqrem Çabej

2.      Rr. Nëna Terezë  

3.      Rr. Garibaldi, përballë hotel Grand

4.      ETC Fushë Kosovë       

5.      Royall Mall, Rruga B

6.      Galeria Mall, Prizren

7.      Albi Mall, Veterrnik kati 0

8.      Albi Mall, Veterrnik kati 1

Platforma online EBC SHOP : www.ebc.shop

https://www.instagram.com/ebccosmetics/?hl=en./ / KultPlus.com